Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se një bashkim i mundshëm politik mes LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani do të ishte i dobishëm për vendin.
Abdixhiku ka theksuar se për këtë çështje mund të flasë më konkretisht vetëm pasi Osmanit t’i përfundojë mandati si presidente.
“Përderisa zonja Osmani është presidente e vendit, dhe për 25 ditët e ardhshme, i bëjmë nder Republikës dhe institucionit nëse nuk e përfshijmë në çështje partiake. Pas kësaj kohe mund të flasim më specifikisht. Padyshim, përbashkimi eventual në një vizion të përbashkët do të ishte i dobishëm për vendin”, ka thënë Abdixhiku.
Një ditë më parë, Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook ka bërë thirrje për bashkim të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë atyre që mbështesin rrugën euroatlantike të Kosovës.
Sipas tij, vendi ka nevojë për tejkalim të dallimeve dhe fokusim në të ardhmen. Ai ka paralajmëruar nisjen e një procesi të bashkimit politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, që sipas tij duhet të lërë pas ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës.
Megjithatë, Abdixhiku ka bërë të qartë se kjo thirrje për bashkim nuk u drejtohet partive Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.