Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka vlerësuar se viti 2025 ishte një “vit i humbur” për Kosovën për shkak të bllokadës politike dhe mosfunksionimit të institucioneve pas zgjedhjeve.
Në draft-raportin për vitin 2025, mirëpritet formimi i institucioneve të reja më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit 2025. Megjithatë, Terras shpreh keqardhje për ngërçin e gjatë politik gjatë vitit të kaluar dhe për dështimin e Kuvendit për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues, gjë që e çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Raporti gjithashtu thekson se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në vitin 2023 kanë ndikuar negativisht në përparimin e saj drejt integrimit evropian. Në të njëjtën kohë, përsëritet mbështetja për rrugën evropiane të Kosovës dhe për aplikimin për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Dokumenti u bën thirrje pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e njohin Kosovën, që të lëvizin drejt njohjes, ndërsa kërkon edhe përshpejtimin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe lirisë së mediave. Edhe pse vlerësohet se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, theksohet rënia e vendit në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave për vitin 2025, duke shprehur shqetësim edhe për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve.
Në raport ritheksohet se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kyç për perspektivën evropiane të Kosovës, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit.
Po ashtu, kërkohet që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023 të sillen para drejtësisë, ndërsa kritikohet fakti se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin.
Ndërkohë, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar më 6 mars 2026 shpërndarjen e Kuvendit dhe ka paralajmëruar zgjedhje të reja pas konsultimeve me partitë politike. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar këtë veprim si të paprecedent dhe nuk ka marrë pjesë në takimin konsultativ.