Fushata informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në Kosovë përfundon këtë të diel, ndërsa nga java e ardhshme pritet të nisë zbatimi i plotë i këtyre rregullave.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar që nga 15 janari një fushatë informuese me njoftime dhe fletushka në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Për këto ndryshime janë informuar edhe përfaqësuesit diplomatikë nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas rregullave të reja, shtetasit e huaj nuk do të mund të qëndrojnë më shumë se tre muaj në Kosovë pa leje qëndrimi ose pune. Për shkelje të ligjit parashihen masa nga gjoba deri te urdhri për largim nga vendi.
Ndërkohë, Ligji për Automjetet ndalon që një shtetas i Kosovës të drejtojë një veturë me targa të huaja pa praninë e pronarit ligjor, edhe nëse ka autorizim.
Këto masa pritet të prekin më së shumti shtetasit e Serbisë dhe të Shqipërisë. Ligjet janë kundërshtuar nga autoritetet serbe dhe nga Lista Serbe.
Ndërkohë, në Serbi, subjekti opozitar Partia e Re Demokratike e Serbisë ka paralajmëruar protestë të shtunën, nga Rashka deri te pika kufitare Jarinjë, me sloganin “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”, si kundërshtim ndaj nisjes së zbatimit të Ligjit për të Huajt. Protestuesit kanë paralajmëruar edhe bllokim dyorësh të qarkullimit në këtë pikë kufitare.