Errët
Ndritshëm

Përparim Gruda: Kuvendi nuk mund t’i ikë shpërndarjes përmes pasivitetit

07.03.2026
Perparim Gruda 2

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë me një qëndrim të prerë lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke e konsideruar dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si një veprim plotësisht kushtetues. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, fajtori kryesor për krizën e re institucionale dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme është Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë një konference për media, hodhi akuza të rënda ndaj shumicës parlamentare. Sipas tij, LVV-ja ka refuzuar çdo alternativë konsensuale për hir të kontrollit partiak mbi institucionet.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, dha shpjegimin juridik se pse shpërndarja e legjislativit ishte e pashmangshme. Sipas Grudës, Kuvendi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke mos e nisur fare procedurën e votimit.

“Interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen duke mos e nisur procedurën është në kundërshtim me logjikën kushtetuese. Afatet nuk mund të neutralizohen përmes pasivitetit,” deklaroi Gruda.

PDK përfundoi se Presidentja ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj dhe se tashmë pritet vetëm caktimi i datës së zgjedhjeve të reja.

Errët
Ndritshëm