Përplasja institucionale në Kosovë ka arritur kulmin pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, një akt që Kryeministri Albin Kurti po e konsideron si goditje direkte mbi rendin kushtetues dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Gjatë një konference për media, Kurti deklaroi se dekreti i Presidentes është antikushtetues, pasi sipas tij, Neni 86 i Kushtetutës kërkon që të konsumohen të tre raundet e votimit për Presidentin para se të shpërndahet legjislativi, gjë që nuk ka ndodhur.
Kryeministri paralajmëroi se kjo situatë do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se vendi po futet në një “agoni legjislative” që do t’u kushtojë qytetarëve 10 milionë euro për procesin zgjedhor.
Sipas tij, ky vendim bllokon rreth 121 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë projektet për izolim termik me BERZH-in, impiantin e ujërave të zeza në Podujevë dhe panelet solare në KEK.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani u shpreh se vendi u soll në këtë pikë nga “njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme”, pa përmendur emra të përveçëm. Kurti, i pyetur për këtë deklaratë, u mbrojt duke thënë se nuk e gjen veten në ato cilësime dhe se Presidentja duhet të sqarojë se për kë e ka pasur fjalën. Ai shtoi se ruajtja e konfidencialitetit të bisedave me të është e rëndësishme, por situata do të ndryshonte nëse ajo kthehet në politikë aktive.
Derisa Kryeministri bojkotoi takimin konsultativ për datën e zgjedhjeve, liderët e opozitës u rreshtuan në krah të Presidentes. Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj e quajtun vendimin e saj legjitim dhe të domosdoshëm pas dështimit të Kuvendit. Haradinaj madje e cilësoi mospjesëmarrjen e Kurtit si fyerje për shtetin, duke thënë se vendi tashmë është në “autopilot” drejt zgjedhjeve të reja.
Tashmë gjithçka mbetet në dorë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të përcaktojë nëse Kosova do të shkojë në kutitë e votimit brenda 45 ditëve apo nëse dekreti i Osmanit do të rrëzohet, duke e kthyer vendin në pikën zero të kësaj drame politike.