Errët
Ndritshëm

Kurti kundër zgjedhjeve, Abdixhiku ofron votën për çdo propozim

02.03.2026
Lumir Abdixhiku Albin Kurti

Takimi i dytë mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret për zgjedhjen e presidentit të ri. Me afatin kushtetues që po troket (5 mars), palët duken ende larg numrave dhe një emri konsensual, duke e mbajtur vendin në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Pas takimit të së hënës, kryetari i LDK-së e bëri të qartë se partia e tij nuk ka marrë asnjë propozim zyrtar dhe nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, përfshirë këtu edhe Vjosa Osmanin. Megjithatë, ai paralajmëroi rrezikun e një gare mes VV-së dhe PDK-së.

“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera… Nëse vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave. LDK ka qenë e angazhuar të gjejë një emër konsensual, që të mos jetë vazhdimësi e qeverisë, por një kundërbalancë,” deklaroi Abdixhiku.

Kryeministri Kurti pranoi hapur se mazhoranca nuk i ka e vetme numrat për të zgjedhur presidentin. Për të evituar dështimin dhe shkuarjen në zgjedhje automatike (nëse numri i deputetëve në sallë bie në 79), Kurti theksoi domosdoshmërinë e një “tamponi” sigurie.

“Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet… Duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por 84 ose 85,” u shpreh ai, duke lënë të hapur opsionin e garës ku pozita (me 60 nënshkrime në dispozicion) mund të nxjerrë dy kandidatë, ndërsa opozita (me 43 deputetë në total pa Listën Serbe) një kandidat të tretë. Për kandidaturën e Osmanit, Kurti ishte i prerë: Aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme.

Ndërkohë, sa u përket emrave të përfolur në tryezë, situata mbetet po aq e ndërlikuar mes dëshirave për kandidim dhe refuzimeve të prera:

Vjosa Osmani kërkon një mandat të dytë, por LVV (që e kandidoi herën e parë) ende nuk ia ka përmendur emrin, ndërsa opozita e akuzon për njëanshmëri pro-Qeverisë.

Murat Jashari, i preferuari i theksuar nga Albin Kurti, e ka mbyllur tashmë derën duke deklaruar se nuk ka ambicie për këtë post.

Arsim Bajrami, ish-ministri që ka shprehur së fundmi gatishmërinë për të garuar, ende nuk ka mbështetje të qartë nga asnjë kamp politik.

Për të shmangur shpërndarjen e Parlamentit, procesi duhet të kalojë përmes rregullave strikte kushtetuese, ku fillimisht kërkohen të paktën 30 nënshkrime për zyrtarizimin e një kandidati, i cili duhet të sigurojë 80 vota në dy raundet e para, ose një shumicë prej 61 votash në raundin e tretë, me kushtin e panegociueshëm që në votim të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.”

Nëse Kuvendi dështon të prodhojë një fitues brenda afateve, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Errët
Ndritshëm