Errët
Ndritshëm

Takime mes Kurtit dhe Hamzës për zgjedhjen e presidentit

28.02.2026
Albin Kurti Bedri Hamza 09 06 2025 Foto Zkm

Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sërish me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për të diskutuar mbi zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Para hyrjes në Kuvend, Kurti tha shkurt: “Tash po shkojmë në takim; ne vazhdojmë dhe i maksimizojmë përpjekjet në mënyrë që javën e ardhshme të kurorëzohet me sukses”, raporton “Ekonomia Online”.

Kryetarët e dy partive më të mëdha në vend janë takuar edhe më parë, si dhe Kurti ka zhvilluar takime me kryetarin e Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje për kandidaturë të përbashkët.

Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambiciet për një mandat të dytë pesëvjeçar, ndërsa kandidaturë ka shprehur edhe akademiku Arsim Bajrami. Për të qenë kandidat, secili duhet të sigurojë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të deputetëve. Nëse asnjë kandidat nuk arrin shumicën në dy raundet e para, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve më të votuar. Në rast dështimi edhe në raundin e tretë, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 57 deputetë, dhe bashkë me 9 deputetë të komuniteteve joshumicë, koalicioni qeverisës nuk arrin të sigurojë 80 votat e nevojshme për dy raundet e para të votimit. Kurti ka vlerësuar se edhe me votat e LDK-së nuk arrihet shumica e nevojshme për zgjedhje të suksesshme.

Errët
Ndritshëm