Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi vendimet e gjykatave më të ulëta ndaj të akuzuarit D.K., i dënuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas aktvendimit, Kolegji gjyqësor ka vlerësuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, si dhe video-incizimet nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima, M.O.
Nga këto prova, sipas Supremes, është konstatuar se viktima ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit.
Kolegji ka marrë në konsideratë edhe raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, të cilët kanë konstatuar se vdekja ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Sipas vendimit, viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.
Gjykata Supreme ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes për procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike dhe ndikimin e mundshëm të substancave narkotike, por ka konstatuar se ato nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve paraprake.
Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, tek i akuzuari nuk është konstatuar çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës.