Errët
Ndritshëm

Vuçiq pas takimit me Sørensen: Ligjet e Kosovës rrisin tensionet

25.02.2026
Screenshot 2026 02 25 124357 720x480

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka zhvilluar një bisedë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ku është diskutuar për ecurinë e dialogut dhe zhvillimet e fundit.

Në një postim në Instagram më 25.02.2026, Vuçiq ka ngritur shqetësime për, siç tha ai, “sfidat” me të cilat përballen serbët në Kosovë, duke e cilësuar si përshkallëzuese dhe diskriminuese hyrjen në fuqi të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete nga 15 marsi 2026. Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë në fushën e mbrojtjes, duke pretenduar se kjo rrit tensionet në rajon.

Po ashtu, Vuçiq ka kërkuar hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se serbët kanë pritur prej 13 vitesh.

Ndërkohë, më 23.02.2026, Sørensen ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, me të cilët ka diskutuar për dialogun dhe zhvillimet politike.

Nga 15.03.2026 nis zbatimi i plotë i Ligjit për Automjete, që parasheh se veturat me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj, ndërsa Ligji për të Huajt obligon personat pa dokumente të Kosovës të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Faza informuese për këto ligje, sipas autoriteteve, zgjat deri më 15 mars.

Përfaqësues të komunitetit serb kanë shprehur ankesa lidhur me dokumentacionin, ndërsa Lista Serbe ka njoftuar se ka zhvilluar takime me ndërkombëtarë për këto çështje, por pa marrë përgjigje konkrete ndaj kërkesave të saj.

Errët
Ndritshëm