Errët
Ndritshëm

Shtërpcë: Ish-kandidati për kryetar komune pretendon se u sulmua për qëndrime politike

24.02.2026
Stefan Stamenkoviq

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Shtërpcës, Stefan Stamenkoviq, ka deklaruar se është kërcënuar dhe rrahur gjatë manifestimit të festës së Kreshmës të dielën, duke pretenduar se sulmi lidhet me qëndrimet e tij kundër Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.

Sipas tij, një person e ka kërcënuar fillimisht me jetë dhe më pas e ka sulmuar fizikisht, duke e hedhur në asfalt dhe duke e goditur disa herë. Ai ka thënë se ka pësuar lëndime në kokë, qafë dhe mavijosje në trup.

Policia e Kosovës, drejtoria në Ferizaj, ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se më 22.02.2026 rreth orës 21:08 një mashkull kosovar-serb ka raportuar se është sulmuar nga një person i panjohur. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”. Hetimet për identifikimin e të dyshuarit janë në zhvillim.

Stamenkoviq ka deklaruar se, pavarësisht se kishte konsumuar alkool si pjesëmarrësit e tjerë në festë, nuk ka provokuar askënd dhe ka kërkuar që rasti të trajtohet pa ndërhyrje politike. Ai pretendon se i dyshuari është person i njohur për organet e rendit.

Për rastin kanë reaguar edhe përfaqësues të opozitës serbe. Kryetari i SNP-së, Milija Bishevac, ka dënuar sulmin, duke thënë se dhuna nuk duhet të përdoret ndaj atyre që shprehin mendime ndryshe. Reagim të ngjashëm ka bërë edhe asamblisti i SZS në Mitrovicën e Veriut, Marko Jakshiq, i cili ka theksuar se përplasjet politike duhet të mbeten në nivel argumentesh, jo dhune fizike.

Errët
Ndritshëm