Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit mbetet sfidë që kërkon 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës dhe mbështetje të gjerë politike.
Pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se as LVV, as PDK e as LDK nuk kanë kandidat nga radhët e tyre. Sipas tij, duhet të gjendet një emër që garanton të paktën 83–85 vota, për të shmangur rrezikun e dështimit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
Ai theksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes marrëveshjes mes tri subjekteve kryesore politike, duke intensifikuar bisedimet në ditët në vijim.
Një ditë më herët, Kurti u takua edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin diskutoi zhvillimet politike, përfshirë çështjen e presidentit.