Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për dallaveret në zgjedhje.
Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
Më së shumti dallime pas rinumërimit në Podujevë janë regjistruar te kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje: kandidatit Vendenis Lahu i janë hequr 407 vota, kandidatit Ejup Maqedonci 389 vota dhe kandidates Adelina Stublla 244 vota. Tek kandidatja e PDK-së për deputete, Ditjona Statovci, i janë hequr 230 vota.
Të dielën, 34 persona u ndaluan për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar me rezultatin zgjedhor në dy komunat e Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ditëve të kaluara janë ndaluar dhe paraburgosur edhe komisionerë dhe vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë dhe komuna të tjera.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa numërimi i votave përfundoi më 3 janar.
Më 13 janar, KQZ-ja filloi procesin e rinumërimit pasi një mostër prej 2% të votave të verifikuara tregoi manipulime te votat e kandidatëve.