Errët
Ndritshëm

LDK sot përballë vendimit për kryetarin

31.01.2026

LDK-ja mban sot Kuvendin e Punës, i cili pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se partia ka reflektuar edhe në të kaluarën në momente sfiduese dhe se kështu do të ndodhë edhe sot. Ai ka theksuar se vendimi për kryetarin është në vlerësimin e secilit anëtar të Kryesisë, ndërsa kandidaturën e Avdullah Hotit e ka cilësuar si vlerë për partinë.

“Është vlerë e madhe për LDK-në që Hoti të jetë në krye të saj, por nuk përjashtohen edhe kandidaturat e tjera”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka shtuar se paqartësia rreth agjendës së Kuvendit nuk është shenjë e mirë.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë, Arben Gashi, ka deklaruar se LDK-ja do ta respektojë çdo rezultat të mundshëm nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, kërkon votëbesim.

“Nëse kërkon votëbesim, duhet të mbahet votim i fshehtë sipas statutit të LDK-së. Cilido që të jetë rezultati, do ta respektojmë”, ka thënë Gashi.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku ka njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend, ndërsa Avdullah Hoti e ka cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe ka shpallur kandidaturën për kryetar.

Errët
Ndritshëm