Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar dy persona me inicialet A.G. dhe R.Z., të dyshuar për vepra të rënda penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe mashtrimin në prokurim publik.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari A.G. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa R.Z. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, nga neni 415 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së.
Hetimet po zhvillohen në kuadër të dyshimeve për manipulim të procedurave të tenderimit, përmes shfrytëzimit të pozitës zyrtare dhe përfitimeve të kundërligjshme.
Në kuadër të këtyre hetimeve, hetuesit policorë kanë realizuar bastisje në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” dhe një subjekt privat. Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale një pushkë automatike AK-47, si dhe para të gatshme, të cilat dyshohet se ndërlidhen me aktivitetet e kundërligjshme që po hetohen.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.