Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj 30-vjeçarit me iniciale F.B., i cili dyshohet se privoi nga jeta nënën e tij, dje në fshatin Restelicë të Dragashit. Vendimi vjen pas vlerësimit të peshës së rëndë të veprës dhe rrethanave tronditëse të krimit të kryer brenda ambientit familjar.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka specifikuar egërsinë e sulmit.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.
Më tej, është bërë e ditur se i pandehuri kishte të kaluar kriminale, pasi ishte dënuar edhe më parë për vepra të ngjashme ku viktimë ishte po e ndjera T.B. Për këtë arsye, gjyqtarja e procedurës paraprake ka lëshuar urdhëresë që i dyshuari t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në QKUK brenda një afati prej dy javësh. Ky raport do t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore në Prizren për të vazhduar me procedimin e rastit që ka tronditur mbarë opinionin.