Kufijtë e Kosovës tashmë do të jenë nën një kontroll “të rreptë” teknologjik pas inaugurimit zyrtar të skanerit modern, një donacion ky nga Qeveria e SHBA-së që kap vlerën e rreth 3 milionë dollarëve.
Në ceremoninë e prerjes së shiritit, ku morën pjesë krerët e Ministrisë së Financave, Punëve të Brendshme, Policisë dhe të Ambasadës amerikane, u bë e qartë se ky “sy” i ri teknologjik do të jetë makthi i ri i kontrabandistëve. Ky donacion vjen si një “infuzion” i fuqishëm për kapacitetet operative të Doganës dhe Policisë, duke blinduar sigurinë kufitare në një kohë kur konteksti i sigurisë në rajon mbetet mjaft i ndjeshëm.
Pajisja e re nuk do të shërbejë vetëm për të identifikuar mallrat ilegale dhe veprimtaritë kriminale që tentojnë të infiltrohen në territorin e Kosovës, por do të jetë edhe një “filtër” që përshpejton tregtinë legjitime. Sipas zyrtarëve të lartë, ky investim amerikan rrit ndjeshëm aftësinë për të menaxhuar rrezikun, duke garantuar që çdo lëvizje në kufi të jetë e monitoruar dhe e sigurt. Ky hap shënon një tjetër goditje për rrjetet e paligjshme, duke dëshmuar se bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Uashingtonit mbetet i pathyeshëm në luftën kundër krimit transkufitar dhe informaliteti ekonomik.