Është liruar nga paraburgimi në Serbi Hazir Haziri, shqiptari i cili ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar në pikën kufitare të Merdarës.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Hazirit është e mirë. Sipas Kocit, lirimi i tij vërteton se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të pambështetura në fakte.
Avokati thekson gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së menjëhershme juridike për qytetarët e Kosovës që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit, duke nënvizuar se do të vazhdojë angazhimin e tij profesional dhe njerëzor në raste të tilla.
