Errët
Ndritshëm

Udhëzime të reja për të huajt që hyjnë në Kosovë

16.01.2026

Ai që hyn në Kosovë e nuk është shtetas i saj apo vozit veturë të huaj këtu duhet me i ditë këto detyrime ligjore, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për fillim, kush nuk është kosovar e don me nejt në Kosovë ma gjatë se 90 ditë brenda 180 ditëve duhet me u pajis me një lejeqëndrim. Cilido i huaj që hyn duhet të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor.

Po ashtu, të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë. Sa duhet të jetë shuma sipas Ligjit Nr. 04/L-219 për të Huajt nuk caktohet, veçse aty thuhet kështu:

Neni 31 – Kushtet për hyrjen e të huajit në Republikën e Kosovës

Pika 3. Shuma e mjeteve të mjaftueshme për jetesë përcaktohet me vendim të veçantë të ministrit të MPB-së dhe lartësia e kësaj shume vlerësohet në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit, duke u bazuar në çmimet mesatare për jetesë.

Nëse ai vjen me veturën e tij duhet me pas parasysh se ka të drejtë që të qarkullojë me të jo më tepër se tre muaj prej datës së hyrjes.

Nuk ka të drejtë shtetasi i Kosovës të qarkullojë me veturën me targa të huaja nëse i pranishëm në veturë nuk është pronari i veturës, përveçse nëse i njëjti posedon lejeqëndrim të përhershëm a të përkohshëm të vendit prej nga është sjellë vetura dhe ka autorizim nga shteti përkatës.

Nëse dikush që është shtetas i Kosovës posedon automjet me targa të huaja, mundet me vozit 3 muaj nga data e hyrjes në Kosovë nëse posedon leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në shtetin prej nga ka ardhë vetura. E nëse nuk e ka asnjërën, mundet me i grah në Kosovë veç tetë ditë.

Kosovarët që janë kthy nga shtetet e huaja mund të drejtojnë automjetin me patentë shofer të huaj të vlefshme deri në një (1) vit nga dita e hyrjes në Kosovë.

E njëjta rregull vlen edhe për të huajt që kanë lejeqëndrim të përkohshëm a të përhershëm.

Zbatimi i plotë fillon më 15 mars 2026 dhe mosrespektimi pason me ndëshkim sipas ligjeve në fuqi.

Errët
Ndritshëm