Një 28-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi këtë të enjte në Slloveni.
Lajmin se viktima është Kosovar për Shënjestër e ka konfirmuar të premten edhe Zyrtarja për Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Mariborit, Anita Kovačič
“Mund të konfirmoj se personi i ndjerë ishte shtetas i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e saj për Shënjestër.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në autostradën mes Lubjanës dhe Mariborit, ku një kamion cisternë i ngarkuar me naftë është përplasur me një furgon në të cilin ndodhej viktima.
“Kamioni është përmbysur dhe ka rrëshqitur në korsinë e kundërt të qarkullimit, pra në drejtim të Lubjanës, ku ka ardhur një furgon me shoferin dhe një pasagjer. Pas përplasjes, të dy automjetet janë përfshirë nga flaket. Si pasojë e aksidentit, dy persona janë lënduar, ndërsa shoferi i furgonit, i cili kishte mbetur i bllokuar në automjet, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, kanë bërë të ditur nga Policia e Mariborit.
Autoritetet sllovene kanë njoftuar se hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit janë duke vazhduar.