Pas një viti pa asnjë takim mes Kosovës dhe Serbisë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, ka thënë se synon që gjatë vitit 2026 palët t’i rikthehen procesit të dialogut. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai është takuar me krerët institucionalë dhe liderë të opozitës, duke theksuar nevojën për konstituim të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve.
Sorensen ka deklaruar se pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, ndërsa paralajmëroi se do ta vazhdojë angazhimin edhe në Beograd për të nxitur rikthimin e dialogut.
“Viti 2026 uroj të na japë atë që nuk na e dha viti i kaluar”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përsëritur qëndrimet e mëhershme lidhur me dialogun, duke theksuar se, sipas tij, janë thelbësore tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike me Aneksin e Zbatimit.
Presidenca ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ia ka rikujtuar Sorensenit shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj marrëveshjeve të dialogut, duke theksuar se interpretimi selektiv i tyre e dëmton procesin.
Ndërkohë, liderët e opozitës kanë bërë të ditur se në takime është diskutuar për konstituimin e institucioneve të reja dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.