Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të pauzojnë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 vende, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën. Njoftimi u bë nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes platformës X.
“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga shtetet nga të cilët marrin ndihma sociale në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri sa SHBA-ja të sigurojë që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, thuhet në njoftim.
Ndërprerja do të fillojë më 21 janar dhe do të zgjasë pa afat të caktuar, derisa të kryhet rishikimi i procedurave për përpunimin e vizave të emigracionit. Shtetet e prekura përfshijnë një listë të gjerë vendesh nga Ballkani, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.
Në fillim të javës, Departamenti i Shtetit bëri të ditur se mbi 100 mijë viza janë revokuar, përfshirë rreth 8 mijë viza studentore dhe 2.500 viza të specializuara për individë të lidhur me aktivitet kriminal.
“Ne do të vazhdojmë t’i deportojmë këta individë për të mbajtur Amerikën të sigurtë”, theksohet në njoftimin e DASH-it.