Errët
Ndritshëm

Reduktimet e rrymës dhe uji i ndotur rëndojnë gjendjen pas vërshimeve

14.01.2026

Reduktimet e energjisë elektrike dhe mungesa e ujit të pijes po e rëndojnë përditshmërinë e qytetarëve në Kosovë në ditët e para të vitit 2026. Situata është përkeqësuar pas vërshimeve në disa komuna, ndërsa nga e mërkura, 14 janar, janë paralajmëruar edhe ndërprerje të rrymës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime për shkak të mbingarkesës së rrjetit. “Diferenca mes nominimeve dhe konsumit real gjatë ditëve të fundit ka krijuar devijime që rrezikojnë stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të sjellë edhe masa ndëshkuese nga rrjeti evropian.

Edhe KESCO ka bërë të ditur se sistemi po përballet me një situatë të jashtëzakonshme si pasojë e rritjes së konsumit, pasi prodhimi vendor nuk po e mbulon kërkesën dhe rreth 50 për qind e energjisë po sigurohet përmes importit.

Krahas krizës energjetike, shumë familje po përballen edhe me mungesë të ujit të pijes. Për shkak të turbullirës së shkaktuar nga vërshimet, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se uji, përfshirë edhe atë nga fabrika e Badocit, nuk rekomandohet për pije dhe mund të përdoret vetëm për nevoja teknike. Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pritet të zgjasë 2-3 ditë.

Pasditen e së mërkurës, KOSTT-i njoftoi se gjendja me rrymë është rregulluar.

Errët
Ndritshëm