Errët
Ndritshëm

Viti 2025, viti i parë pa asnjë vrasje në rajonin e Pejës pas 26 vjetësh

12.01.2026

Viti 2025 shënon një arritje historike për rajonin e Pejës, pasi është regjistruar si viti i parë pas përfundimit të luftës në Kosovë pa asnjë vrasje.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e ka cilësuar këtë sukses si rezultat të koordinimit të ngushtë ndërinstitucional dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Pas 26 vjetëve nga përfundimi i luftës, viti 2025 evidentohet si i vetmi pa asnjë vrasje në rajonin tonë. Kjo është arritur përmes koordinimit të mirë ndërinstitucional me Policinë e Kosovës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur besimin e qytetarëve”, tha Vuçetaj.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, gjatë 25 viteve të para pas luftës në rajonin e Pejës janë regjistruar 203 vrasje, që kanë lënë pas 227 viktima.

“203 vrasje në 25 vjet për 227 viktima është jashtëzakonisht shumë për një rajon si ky, pa llogaritur dhimbjen e familjarëve që i kanë përjetuar këto tragjedi”, shtoi ajo.

Vuçetaj gjithashtu nderoi tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, që ndërhynë heroikisht në një tentim vrasjeje pranë Gjykatës Themelore në Pejë.

“Përmes guximit, profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre në detyrë, Labinot Shala, Bislim Kelmendi dhe Fisnik Bytyçi kontribuan që viti 2025 të përfundojë pa asnjë rast vrasje. Kam kënaqësinë t’i nderoj ata me mirënjohje për shërbimin dhe guximin e treguar”, tha Vuçetaj.

Errët
Ndritshëm