Mihrije Daçaj, gruaja që gjatë luftës në Kosovë në Prizren humbi djemtë binjakë, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.
Këtë ajo e bëri gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, ku po shqyrtohet ankesa ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që Pleskoviqin e kishte dënuar me 15 vjet burg për krime lufte.
“Ne kërkojmë dënim për jetë”, tha Mihrije Daçaj.
Avokati mbrojtës Blend Gjini kërkoi gjithashtu dënim kapital për Pleskoviqin, duke e konsideruar të pabazuar ankesën e avokates së tij.
“Duke marrë parasysh vrasjet e civilëve shqiptarë dhe vuajtjet e tyre të riprodhuara në seancë, dënimi i gjykatës së shkallës së parë është i vogël. Ligji parasheh deri në 20 vjet për këto vepra, ndaj kërkojmë që Apeli të shqiptojë një dënim të përshtatshëm”, tha Gjini, duke propozuar që kërkesa e avokates të refuzohet.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Pleskoviqit më 7 qershor 2024. Ai u arrestua më 29 shtator 2023 nga Policia e Kosovës, pas kallëzimit penal të parashtruar më 25 shtator për krim lufte kundër popullatës civile në Prizren. Sipas prokurorisë, më 1 shtator 1998, Pleskoviqi, i armatosur dhe i mobilizuar së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe ka plagosur disa të tjerë.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar në korrik të vitit 2025 me 15 vjet burg. Familjarët e viktimave e kishin konsideruar vendimin të ulët, ndërsa Prokuroria Speciale e quajti aktgjykimin një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.