Yamal do të përballet me Lionel Messin në mars 2026, në kuadër të Finalissima 2026, ku fituesi i Kampionatit Europian, Spanja, do të ndeshet me Argjentinën, fituese e Copa América 2024.
Finalissima 2026 do të zhvillohet të premten, më 27 mars 2026, duke vënë përballë kampionët e Europës dhe Amerikës së Jugut. Ndeshja do të transmetohet në orën 19:00, sipas kohës lokale, dhe do të luhet në Stadiumin Lusail në Katar, arenë simbolike e Kupës së Botës 2022, ku Argjentina shkroi historinë me triumfin epik ndaj Francës në finalen e Botërorit.
Finalissima është një ndeshje e vetme, 90 minuta. Nëse rezultati mbetet i barabartë pas kohës së rregullt, fituesi përcaktohet drejtpërdrejt me penallti, pa kohë shtesë.
Argjentina hyn në këtë përballje si mbrojtëse e titullit të Finalissimës, të fituar në vitin 2022, pas triumfit 3–0 ndaj Italisë.