Errët
Ndritshëm

Rozeta Hajdari nuk paraqitet në gjykatë, shqyrtimi fillestar për rezervat shtetërore shtyhet

10.12.2025

Rozeta Hajdari nuk është paraqitur në gjykatë për seancën e shqyrtimit fillestar. Në sallë ishin të pranishëm tre të akuzuarit e tjerë: Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Gjyqtari Avni Syla njoftoi se ftesa për Hajdarin është dërguar përmes postës, por gjykata ende nuk ka marrë konfirmim nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

“Rozeta Hajdari nuk prezanton, për të cilën gjykata i ka dërguar ftesën përmes postës, mirëpo deri më sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje se e njëjta është pranuar në mënyrë të rregullt. Prezanton mbrojtësi i saj,” tha Syla.

I akuzuari Ridvan Muharremi është paraqitur në seancë pak para fillimit të seancës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar datën 10 dhjetor 2025 për fillimin e gjykimit në rastin e rezervave shtetërore, ku të akuzuar janë: Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Aktakuza ngrihet mbi dyshimet për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare. Ndaj Muharremit, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë seancë pritej të lexohej aktakuza nga Prokuroria Speciale dhe të bëhej deklarimi i të akuzuarve. Seanca konsiderohet shqyrtimi fillestar, momenti kur të akuzuarit për herë të parë dalin zyrtarisht para gjykatës me statusin e të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës është ngritur mbi dyshimet se gjatë muajve shkurt–mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Kosovës.

Errët
Ndritshëm