FBI ka asistuar autoritetet e Kosovës në hetimet për sulmin me bombë në kanalin Ibër–Lepenc, të ndodhur në nëntor 2024.
Në aktakuzën kundër tre të dyshuarve, të cilën e ka siguruar Paparaci, përfshihet edhe raporti i FBI-së që ka analizuar dheun e gjetur në çizmet e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç.
Sipas aktakuzës, FBI-ja ka krahasuar mostrën e dheut të sekuestruar nga çizmet e tyre në Prevllak dhe me mostrat e marra nga vendi i shpërthimit në Varagë. Konstatimi: dheu në çizmet e të dyshuarve përputhet me dheun e zonës së shpërthimit, sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes.
Gjatë hetimeve, me pjesëmarrjen e ekspertëve të FBI-së, janë siguruar edhe mostra referente të dheut në tri lokacione të Zubin Potokut, për krahasim me dheun e çizmeve të sekuestruara. Analizat laboratorike në SHBA kanë treguar se mostrat e gjetura në çizme janë identike me dheun e kanalit Ibër–Lepenc.
Në dosje përshkruhen edhe çizmet e sekuestruara, disa prej tyre të përlyera me baltë e lagështi të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve.
Raporti i FBI-së, i pranuar nga Prokuroria Speciale më 3 nëntor 2025, vërteton se dheu i çizmeve nuk mund të dallohet nga dheu i zonës së shpërthimit, ndërsa mostrat e marra nga dy lokacione të tjera nuk përputhen me dheun e kanalit.
Duke u bazuar në këto analiza, Prokuroria vlerëson se të pandehurit kanë kryer sulmin me eksploziv, duke argumentuar se mbetjet e dheut në çizme përputhen me vendin e ngjarjes dhe se distanca prej 13 kilometrash tregon se ata kanë përdorur mjet transportues pas kryerjes së aktit.
Sipas njoftimtit të Prokurorise te akuzuarit, Jovani dhe Dragisha Viqentijeviqit në bashkëpunim me disa peronsa të tjerë të pa identifikuar, kanë vendosur 20 kilogram eksploziv në brendi të kanalit dhe e kanë shpërthyer duke i shkaktuar dëmtime të mëdha kanalit të Ibër Lepencit.Sipas Prokurorise, aktivizimi i eksplozivit është bërë përmes një çante e cila ka qenë e lidhur me litar në një shtyllë betoni.Si pasojë e shpërthimit, ishte shkaktuar ndërprerja me e furnizimit me ujë të pijshëm duke rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektirke.
Dëmi nga ky shpërthim në kanal kap vlerën e mbi 376 mijë euro.