Errët
Ndritshëm

Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës

08.12.2025

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e PZAP-it, duke vulosur kështu që votimi i diasporës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 të zhvillohet vetëm brenda përfaqësive diplomatike të Kosovës. Me këtë, mbetet në fuqi vendimi i PZAP-së i 30 nëntorit, i cili më herët kishte pranuar ankesën e LDK-së dhe kishte ndryshuar vendimin e KQZ-së që parashihte më shumë hapësira të votimit jashtë objekteve të ambasadave.

Sipas Supremes, kufizimi i qendrave të votimit vetëm në ambiente diplomatike është “masë mbrojtëse” për integritetin e procesit dhe nuk cenon të drejtën e votës së shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës. Gjykata thekson se diaspora e ka të garantuar pjesëmarrjen, por brenda kushteve të përcaktuara ligjore, të cilat sipas saj nuk janë tejkaluar nga PZAP.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje kishte argumentuar se ligji u mundëson përfaqësive diplomatike të marrin nën administrim hapësira të tjera për të krijuar kushte reale votimi për diasporën. Megjithatë, Supreme vlerësoi se ky interpretim nuk qëndron dhe se vendimi i PZAP-së është i drejtë, i ligjshëm dhe mjaftueshëm i arsyetuar.

Në praktikë, vendimi kufizon ndjeshëm mundësinë e mijëra qytetarëve jashtë vendit për të votuar, duke i detyruar ata të udhëtojnë vetëm drejt ambasadave ose konsullatave një pikë që pritet të ringjallë debatet politike për të drejtën e votës së diasporës.

Errët
Ndritshëm