Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ora 18:00, do të hidhet shorti i Kupës së Botës 2026, turneu më i madh i futbollit në planet, i cili për herë të parë do të mbahet në tri shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Këtë herë shorti ka një simbolikë të veçantë për shqiptarët, pasi për herë të parë në historinë e Kupës së Botës do të përmenden Kosova dhe Shqipëria në një short zyrtar, me të dyja kombëtaret që gjenden në fazën e play-offit për t’u kualifikuar.
Deri më tani, 42 shtete e kanë siguruar pjesëmarrjen, ndërsa gjashtë të tjera do të konfirmohen në muajin mars të vitit të ardhshëm përmes ndeshjeve të play-offit.
Kosova në kërkim të ëndrrës së madhe
Kosova do të përballet me Sllovakinë në ndeshjen e parë të play-offit. Nëse arrin të fitojë, dardanët do të luajnë në shtëpi ndaj fituesit të duelit Rumani – Turqi, duke synuar kualifikimin e parë historik në një Botëror.
Shqipëria në garë për kualifikimin e parë në histori
Edhe Shqipëria është në garë për të siguruar pjesëmarrjen e parë ndonjëherë në një Kampionat Botëror. Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë, ndërsa nëse kalojnë tutje, i pret fituesi i sfidës Suedi – Ukrainë.
Ceremonia e sotme pritet të shënojë një moment historik për futbollin shqiptar, teksa Kosova dhe Shqipëria për herë të parë shfaqen në një short zyrtar të Kupës së Botës.