Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tetë persona të akuzuar për trafikim armësh nga Kosova drejt Shqipërisë. Të pandehurit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Tre prej tyre janë shtetas nga Kosova, të cilët tashmë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me: 8 vite burg (B.K.), 6 vite e 8 muaj burg (M.K.) dhe 7 vite burg (E.Th.).
Sipas Prokurorisë, dy prej të pandehurve, B.K. dhe M.K., kanë blerë një sasi të konsiderueshme armësh të tipit Zoraki me qëllim trafikimin e tyre drejt Shqipërisë.
Hetimet e kryera nga skuadra e përbashkët Shqipëri–Kosovë, me mbështetjen e Eurojust, rezultuan në një operacion të gjerë ndërkombëtar, ku u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione në të dy vendet.