Liverpooli u ndal në barazim 1–1 në raundin e 14-të të Premier Ligës, ndërsa vëmendjen e mori goli i Florian Wirtz në minutën e 81-të – një gol që shkaktoi polemika.
Mesfushori gjerman dribloi dy mbrojtës brenda zonës dhe dërgoi topin drejt rrjetës, por pas rishikimit, goli iu hoq atij dhe u regjistrua si autogol, pasi topi mori devijim të dukshëm nga Nordi Mukiele.
Wirtz tha pas ndeshjes se çështja e autorësisë së golit nuk kishte rëndësi për të në këtë moment.
“A llogaritet si autogol? Sot nuk ka rëndësi. Barazuam. Donim të fitonim – kjo është e gjitha që ka rëndësi. Qëllimi ynë është të kryesojmë tabelën. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë që gjërat të ndryshojnë për mirë,” deklaroi ai për Sky Sports.
Gjermani shtoi se ambienti i ri në Liverpool e ka pritur në mënyrë të jashtëzakonshme:
“Ekipi më ka pritur ngrohtësisht. Është një grup i shkëlqyer dhe jam i lumtur që jam këtu. Jemi në rrugën e duhur dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u rikthyer te fitoret.”
Liverpooli tani kërkon të gjejë ritmin e fitoreve për të qëndruar në hap me kryesuesit e tabelës.