Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtor Ljubisha Miljkoviç për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve gjatë ngjarjeve në Zveçan në maj 2023. Vendimi u shpall të enjten, më 4 dhjetor 2025, nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Miljkoviç u dënua me 2 vite burg për veprën “sulm ndaj personit zyrtar”, ku në dënim i llogaritet edhe paraburgimi nga 24 gushti 2025. Për veprën “pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm”, ai mori 6 muaj burg, dënim që me pëlqimin e tij u zëvendësua me gjobë prej 14 mijë euro, që duhet paguar brenda tre muajsh.
Ai obligohet të paguajë edhe 100 euro paushall gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave. Gjithashtu, gjykata i konfiskoi pajisjet e përdorura gjatë kryerjes së veprave.
Miljkoviç mbetet në paraburgim deri në formësimin e plotë të aktgjykimit. Epilogu erdhi pasi gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të pandehurit.