Errët
Ndritshëm

Trafiku Urban rikthen qarkullimin pas 9 ditësh grevë

03.12.2025

Pas nëntë ditësh grevë dhe kaosi në transportin publik të Prishtinës, Trafiku Urban dhe transportuesit privatë kanë rifilluar punën. Greva u ndërpre vetëm pasi Komuna e Prishtinës nisi shlyerjen e borxheve ndaj operatorëve, pas alokimit të pjesshëm të mjeteve nga Ministria e Financave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi të martën se ministria ka liruar një pjesë të fondeve të bllokuara, duke i mundësuar komunës të fillojë pagesat.

“Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milionë eurosh nga bartja e vitit 2024. Drejtoria e Financave do të punojë jashtë orarit për të procesuar pagesat sa më shpejt”, tha Rama.

Nga Ministria e Financave është bërë e ditur se janë alokuar 2.7 milionë euro vetëm për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, mjete të dedikuara për pagesën e operatorëve të transportit publik.

Ministri në detyrë, Hekuran Murati, reagoi menjëherë ndaj deklarimeve të Ramës, duke i kërkuar komunës të përfundojë pagesat pa vonesa.

“Tashmë janë alokuar 2.7 milionë euro, të nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik. Kjo shumë është proceduar veçmas për t’u kryer me prioritet”, shkroi Murati në Facebook, duke nënvizuar se fondet kapitale prej 25.9 milionë eurosh kërkojnë më shumë kohë për procedurë.

Shkaku i borxheve të mëdha të papaguara nga Komuna, Trafiku Urban dhe operatorët privatë kishin ndalur shërbimet që nga java e kaluar, duke lënë mijëra qytetarë pa transport. Pas protestave zgjidhja erdhi vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve buxhetore.

Ditëve të fundit, Komuna e Prishtinës dhe Qeveria në detyrë kanë shkëmbyer akuza për situatën e krijuar. një përplasje që vazhdoi edhe të martën paradite, kur Rama akuzoi sërish ministrinë, e cila reagoi menjëherë përmes Muratit.

Errët
Ndritshëm