Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar ashpër pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të moscertifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Në reagimin e publikuar më 3 dhjetor, ambasada thotë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë “shkurtëpamëse dhe përçarëse”, duke paralajmëruar se vendime të tilla dëmtojnë drejtpërdrejt stabilitetin e vendit.
Sipas ambasadës, çdo qytetari të Kosovës duhet t’i garantohet e drejta demokratike për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa ndërhyrjet politike në këtë proces, siç u cilësuan, minojnë edhe interesat e vet SHBA-së në Kosovë.
“Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik dhe avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe ato kosovare”, thuhet në reagim.
Më 2 dhjetor 2025, KQZ vendosi të mos e certifikojë Listën Serbe. Vendimi u mor me 2 vota për, 2 kundër dhe plot 7 abstenime.
E njëjta situatë kishte ndodhur edhe para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit, vendime që më pas u rrëzuan nga PZAP.
Ndërkohë, KQZ ka certifikuar 22 subjekte të tjera politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Para votimit ka pasur debat të tensionuar mes anëtarëve të komisionit, sidomos për mënyrën e votimit të subjekteve, me marrëveshje u vendos që secili subjekt të votohej veçmas.
Sekretariati i KQZ-së rekomandoi certifikimin e 23 subjekteve, ndërsa kërkesa e Nismës Socialdemokrate do të shqyrtohet më 3 dhjetor 2025.