Errët
Ndritshëm

OEK paralajmëron kallëzim penal ndaj ZRRE-së për moszbatim të vendimit të Supremes

01.12.2025
E076c2a7 D798 4dee 8a95 4a5022157c83

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme në çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë për biznese.

Sipas OEK-ut, Gjykata Supreme ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

OEK shton se komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025 tenton ta relativizojë vendimin, duke krijuar pasiguri ligjore dhe rrezik ekonomik për bizneset.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi,” thuhet në komunikatën e Odës.

OEK kërkon që ZRRE-ja, brenda 5 ditësh, të publikojë një komunikatë të korrigjuar, të ndalojë interpretimet e pasakta, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal dhe të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm. Në rast se nuk veprohet, OEK paralajmëron kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së.

Vendimi i Gjykatës Supreme për daljen në treg të hapur të energjisë për rreth 1.300 biznese është interpretuar ndryshe nga OEK dhe ZRRE-ja, ndërsa Oda kërkon zbatim të plotë dhe të menjëhershëm të aktgjykimit.

Errët
Ndritshëm