Errët
Ndritshëm

Pafajësia në Hagë: Haradinaj shënon 13-vjetorin e vendimit historik

29.11.2025

Sot bëhen 13 vjet nga 29 nëntori 2012, dita kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn, Lahi Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për këtë përvjetor, duke e cilësuar si një nga ditët me peshën më të madhe në jetën dhe veprimtarinë e tij.

Ai thotë se aktvendimin e pafajësisë e kujton si një fitore që shkon përtej tij, duke përfshirë gjithë luftën çlirimtare.

“Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare. Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u ftova në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tonë. Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare”, ka shkruar ai.

Haradinaj shton se “lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar”.

Ai thekson se në çdo hap është përpjekur t’i sjellë nder Kosovës.

“Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat”, ka përfunduar Haradinaj.

Errët
Ndritshëm