Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se ky i fundit “po barazon shkakun me pasojën”, gjë që sipas tij nuk ndihmon zhvillimin e partisë.
Hamza një ditë më parë tha se askush nuk e ka përjashtuar Lladrovcin nga PDK-ja dhe se me të synojnë maksimalizimin e votës më 28 dhjetor. Por Lladrovci, në një shkrim në Facebook, akuzoi disa eksponentë të PDK-së se po e paraqesin disfatën si fitore dhe se “mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet”.
Ai theksoi se uniteti është kusht për fitore dhe kritikoi Hamzën për përpjekjet për ta “barazuar shkakun me pasojën”, duke shtuar se kjo nuk e fuqizon partinë. Sipas tij, PDK-ja ka nevojë për reformim të qasjes politike dhe të metodave organizative.
Lladrovci përsëriti se në parti duhet larguar “shkurtpamësia politike” dhe se PDK-ja duhet t’i rikthehet vizionit të themeluesve. Ai rikujtoi se zgjedhjet lokale në Drenas i fitoi me iniciativë të pavarur, pasi PDK-ja kandidoi Petrit Hajdarin.