Errët
Ndritshëm

Kurti kritikon BE-në: “Aplikimi i Kosovës mbledh pluhur për tri vjet, ndërkohë flitet për zgjerim urgjent”

21.11.2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Samitin e Planit të Rritjes së BE-së në Tiranë, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mungesë progresi në dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Ai e ka quajtur paradoks që të flitet për zgjerimin urgjent të BE-së, ndërkohë që aplikimi i Kosovës mbetet i bllokuar për tri vjet:

“Asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks. Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave.”

Kurti gjithashtu kërkoi heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se ato “i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së”. Do ta mirëpres nëse samiti i ardhshëm zhvillohet në Prishtinë.

Errët
Ndritshëm