Errët
Ndritshëm

Kosova ngec me reformat, paralajmërim nga Komisionerja e BE-së

21.11.2025

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë fjalës së saj hyrëse në Samitin për Planin e Rritjes në Tiranë, duke iu referuar Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, tha se janë dy vende që ende nuk kanë miratuar reformat e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes. Ajo shtoi:

“Dy nga 6 vendet e Ballkanit nuk kanë filluar të miratojnë reformat. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 55% të reformave të dakordësuara.”

Kos paralajmëroi se Plani i Rritjes ka të bëjë gjithnjë e më shumë me sigurinë, duke theksuar se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Samitin Europian në Tiranë, theksoi se Ballkani Perëndimor nuk pret dhurata nga BE-ja, por dëshiron respekt për përpjekjet e veta. “Askush nuk po thërret për t’u shpërblyer me ëmbëlsira, gjithkush po kërkon të shpërblehet me nder, me mund e djersë,” tha Rama, duke shtuar se Shqipëria dhe rajoni janë duke ndërtuar bashkërisht të ardhmen europiane.

Ai përmendi edhe hapa konkretë, si përfundimi i tarifave roaming me BE-në deri më 2026, si tregues të integrimit gradual ekonomik dhe historik të Ballkanit Perëndimor.

Errët
Ndritshëm