Errët
Ndritshëm

Katër gjuetarë serbë arrestohen për kalim të paligjshëm të kufirit

17.11.2025

Katër gjuetarë serbë janë arrestuar nga Policia e Kosovës të dielën, pasi që të njëjtit kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe dyshohen për armëmbajtje pa leje.

Lajmin e konfirmoi policia të hënën, përmes një komunikate ku demantonte pretendimet e shtetit serb se një grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar (ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’.

“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, të cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.”

Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje.

Sa i përket deklaratave të autoriteteve serbe për “sulmin”, policia tha se ato janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.

Errët
Ndritshëm