Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dritën jeshile që Gjenerali Wesley Clark të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.
Në dokumentin e dorëzuar nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, thuhet se “sipas urdhrit të Panelit të Gjyqit të datës 2 shtator 2025, Mbrojtja për z. Hashim Thaçi njofton se është marrë leja nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, duke autorizuar deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të fundit, 1DË-007, Gjeneral Wesley Clark”.
Sipas njoftimit, Clark ka bërë të ditur se nuk mund të udhëtojë drejt Hagës përpara 17 nëntorit 2025.
Për këtë arsye, ai mund të fillojë dëshminë më 18 ose 19 nëntor, ndërsa mbrojtja ka kërkuar që 21 nëntori të mbetet i hapur në rast se nevojitet për finalizimin e dëshmisë.
Në të njëjtin parashtrim, mbrojtja ka kërkuar edhe shtimin e deklaratës së Clark në listën e provave.
Sipas avokatit Mishetiq, ky veprim do të kursejë kohë në sallën e gjyqit dhe do të sigurojë një paraqitje më të qartë e më të fokusuar të provave.
“1DË-007 siguron prova jashtëzakonisht relevante dhe lirueshme, të cilat janë të rëndësishme për çështjet në këto procedura,” thuhet në dokument.
“Deklarata ka relevancë dhe rëndësi të mjaftueshme për të justifikuar shtimin e saj në Listën e Provave”.
Gjenerali Wesley Clark është një ish-gjeneral me katër yje në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe ka shërbyer si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Në dëshminë e tij, Clark pritet të flasë për zbatimin e Marrëveshjes Holbrooke–Millosheviq të tetorit 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave pas refuzimit të marrëveshjeve të Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë sipas Marrëveshjes Ushtarake Teknike dhe Rezolutës 1244, si dhe demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së
“Nuk ka pasur përpjekje të koordinuar të UÇK-së për dhunë”.
Në dokument thuhet gjithashtu se Clark ka dijeni për situatën pas luftës dhe për valën e dhunës që shpërtheu pas kthimit të refugjatëve kosovarë në verën e vitit 1999.
“1DË-007 përshkruan dijeninë e tij për valën e dhunës në verën e vitit 1999 dhe analizon shkaqet e saj, duke theksuar se ai nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të sulmuar serbët apo minoritetet,” thuhet në parashtrim.
Gjenerali amerikan pritet gjithashtu të flasë për ndërveprimet e tij me UÇK-në, me delegacionin kosovar në Rambuje dhe në veçanti për Hashim Thaçin, për të cilin- sipas dokumentit-Clark ka deklaruar se “nuk kishte kontroll mbi UÇK-në”.
Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në këtë proces.