Real Madridi merr frymë më lehtë: Kylian Mbappé pritet të rikthehet në fushë këtë fundjavë, në kohën më të përsosur për “Los Blancos”.
Pas disa ditësh ankthi dhe rehabilitimi intensiv në Valdebebas, ylli francez Kylian Mbappé duket i gatshëm të zbresë sërish në fushë për Real Madridin, ndoshta që në derbin e së dielës. Një sinjal i qartë që numri 7 i “Los Blancos” po lë pas dëmtimin në kyçin e këmbës, të marrë në ndeshjen kundër Villarrealit.
Pavarësisht se u bashkua me ekipin kombëtar të Francës gjatë pushimit ndërkombëtar, duke shënuar një gol ndaj Azerbajxhanit, një shqetësim i përsëritur e detyroi Mbappén të tërhiqej dhe të kthehej në Madrid, ku stafi mjekësor i klubit nisi një garë me kohën për rikuperimin e tij.
Dhe duket se sfida është fituar. Sulmuesi ka marrë pjesë në stërvitjen e fundit me grupin, duke lënë përshtypje pozitive për gjendjen e tij fizike. Megjithatë, topi tashmë është në fushën e Xabi Alonsos: trajneri i Realit duhet të vendosë nëse do ta aktivizojë që në start në derbin e fundjavës, apo do të preferojë një qasje më të kujdesshme, duke pasur parasysh ndeshjet “finale” që po afrojnë.
Në horizont shfaqen tre përballje gjigante: Juventus, Barcelona dhe Liverpool. Një kalendar që nuk fal dhe kërkon Mbappén në formën më të mirë. Deri tani, ai ka qenë njeriu i momentit në Madrid: 14 gola dhe 2 asiste në vetëm 10 ndeshje janë statistikat e një galaktiku të vërtetë.