Në një atmosferë solemne dhe të mbushur me emocione, qindra ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniforma ushtarake dhe me emblemën e UÇK-së në krah, kaluan pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë nën përshëndetje ushtarake.
Drejtuesit e policisë kufitare nga të dy shtetet u dekoruan nga ish-luftëtarët, të cilët vazhduan marshimin drejt Tiranës, ku po mbahet protesta mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në kolonë u bashkuan edhe dhjetëra veteranë që udhëtuan me motoçikleta drejt kryeqytetit shqiptar.
Ndërkohë, mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës u nisën me autobusë, të bashkuar nën një thirrje të vetme: “Liri për çlirimtarët.”
Sheshi është mbushur plotë me protestues, të cilët kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.
Një nga ish-ushtarët shqiptarë tha se protesta e sotme në Tiranë dërgon një mesazh të qartë në Hagë se “çfarë është mjaft, është mjaft”. Ai theksoi se çlirimtarët e Kosovës duhet të jenë pranë familjeve të tyre, ndërsa sipas tij, gjykatësit e Gjykatës Speciale duhet të jenë në bankën e të akuzuarve.
“Ardhja këtu është për t’u sensibilizuar të gjithë së bashku dhe për të dhënë mesazhin tonë, për t’i thënë Hagës se çfarë është mjaft, është mjaft. Ne e dimë kush është ajo Speciale kriminale; prandaj ata gjykatës që po i dënojnë trimat tanë duhet të jenë në bankat e të akuzuarve, ndërsa çlirimtarët tanë duhet të jenë me familjet e tyre, në tokën dardane të larë me gjak — në Kosovë,” u shpreh ai.