Errët
Ndritshëm

Ronaldo nuk plaket: Dy gola dhe një rekord tjetër historik

15.10.2025
Gettyimages 2240646138.jpg

Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Portugalisë. Në mbrëmjen dramatike në Budapest, ku Portugalia barazoi 2-2 me Hungarinë, ylli i Al Nassr-it bëri atë që di më së miri: theu një tjetër rekord.

Ndeshja nisi keq për luzitanët. Vetëm pas 8 minutash lojë, mbrojtësi Attila Szalai tronditi portën e Diogo Costas, duke e kaluar Hungarinë në epërsi. Por si gjithmonë, kur Portugalia ka nevojë për një hero, Ronaldo del në skenë. Në minutën e 22-të, ai shënoi gol duke barazuar shifrat.

Në fundin e pjesës së parë, Ronaldo e gjeti sërish rrjetën. Një goditje tipike e tij, shpërthim, instinkt dhe… histori! Me atë gol, Ronaldo arriti 143 gola me kombëtaren portugeze dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kualifikimeve për Kupën e Botës me 40 gola, duke kaluar Carlos Ruiz të Guatemalës (39). Lionel Messi? I treti me 36.

Në moshën 40-vjeçare, ai vazhdon ta mbajë Portugalinë në garë për Botërorin 2026.

Por futbolli është i pamëshirshëm. Në minutën e 90+1, Dominik Szoboszlai “ftohu” entuziazmin portugez, duke barazuar në 2-2 dhe lënë skuadrën e Roberto Martínez në presion. Tani Portugalia duhet të marrë të paktën një pikë në ndeshjet e mbetura kundër Irlandës dhe Armenisë për të siguruar kualifikimin direkt.

 

Errët
Ndritshëm