Shtetet evropiane dhe arabe, Kanadaja dhe SHBA-ja duket se janë të gatshme të kontribuojnë në shumën e parashikuar prej 70 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës, tha të martën një zyrtar i Kombeve të Bashkuara.
Jaco Cilliers, zyrtar në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tha se lufta e Izraelit kundër Hamasit kishte prodhuar të paktën 55 milionë tonë mbetje, dhe se mund të duhen dekada që Gaza të rikuperohet plotësisht.
“Kemi marrë lajme shumë pozitive nga disa nga partnerët tanë, përfshirë partnerët evropianë dhe Kanadanë” për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, tha ai në një konferencë për media, duke shtuar se po zhvilloheshin edhe diskutime me Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.
Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit, shumë palestinezë janë kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara në këtë territor bregdetar.
Gaza ka mbetur një zonë shkatërrimi pas bombardimeve izraelite gjatë dy viteve. Gjenocidi izraelit në Gaza kanë lënë të vrarë rreth 68,000 persona, sipas autoriteteve shëndetësore atje.
Një pjesë e madhe e shkatërrimit është në qytetin e Gazës, vendi i disa nga betejave më të ashpra, ku rreth 83% e ndërtesave janë dëmtuar, sipas Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara (UNOSAT).
UNDP tha se tashmë kishte pastruar rreth 81,000 tonë mbetje nga Gaza dhe po vazhdon këtë proces.
Hamas liroi të hënën të gjithë të mbijetuarit izraelitë të marrë peng në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa Izraeli dërgoi në shtëpi grup-masa të të burgosurve palestinezë, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli përfundimin e luftës dyvjeçare.