Mbrëmja e sotme do të jetë një tjetër provë karakteri për “Dardanët”. Në “Nya Ullevi” të Goteborgut, me fillim nga ora 20:45, Kosova përballet me Suedinë, në një sfidë ku mungesat peshojnë, por shpresa nuk shuhet.
Trajneri Franco Foda e di se përballja në tokën skandinave nuk do të jetë e lehtë. Ai udhëton pa disa nga lojtarët kyç:
Florian Haxha dhe Lumbardh Dellova janë jashtë liste për shkak lëndimesh;
Fidan Aliti mungon për shkak pezullimi;
ndërsa Elvis Rexhbecaj për shkak të një lëndimi në ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe fund për tetorin.
Në mesin e gjithë këtyre mungesave, një lajm i mirë për Fodën: Lindon Emërllahu rikthehet pas suspendimit. Një prani që sjell balancë në qendër të fushës dhe energji për një Kosovë që kërkon stabilitet pas barazimit pa gola ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”.
Kosova e di që nuk mund të mbështetet vetëm te emrat. Përballë një Suedie që luan në shtëpi, duhet karakter, përqendrim dhe besim.
Nata në Goteborg mund të jetë një tjetër faqe në historinë e re të “Dardanëve”. Një sfidë që do të tregojë jo vetëm nivelin, por edhe shpirtin e këtij grupi që ende beson në ëndrrën e Botërorit 2026.