34-vjeçari Juxhin Drazhi është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Ura”.
Në prill, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike në Norvegji dhe Belgjikë, si dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Drazhi, pjesë e grupit të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, u arrestua më 8 gusht nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze në qytetin e Granadës. Hetimet e përbashkëta të policisë shqiptare dhe spanjolle tregojnë se Drazhi ishte personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn, i cili u zhduk në maj dhe u gjet i vdekur në fillim të shtatorit në Marbella, Spanjë, sipas raportimeve të A2 CNN.
Më herët, SPAK i kishte sekuestruar Drazhit firmën “Majestic Construction” dhe nëntë prona të tjera në kuadër të këtij operacioni. Operacioni “Ura”, i finalizuar në maj, kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar me aktivitet në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.