Errët
Ndritshëm

AGK dënon kërcënimin e kryetarit të “Dardanëve” ndaj gazetarit Valon Rashiti

08.10.2025
Lulzim Berisha

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për kërcënimin që ka marrë gazetari i VOX Kosova, Valon Rashiti, nga kryetari i Tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha. AGK thotë se ky zhvillim cenon integritetin fizik të gazetarit Rashiti dhe se do ta monitorojë denoncimin që është bërë pranë organeve të rendit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është informuar për një kërcënim serioz që ka bërë udhëheqësi i tifozëve të Kombëtares së Kosovës, Lulzim Berisha ndaj gazetarit të Vox Kosova, Valon Rashiti. Sipas dëshmisë së gazetarit, Berisha i ka thënë gjatë një ceremonie Rashitit: “Kam me të ngreh zhag, ka me të shky si zhabën”. AGK-ja e dënon fuqishëm këtë kërcënim publik të Berishës, që cenon integritetin fizik të gazetarit Rashiti. AGK-ja do ta monitorojë denoncimin që Rashiti e ka bërë pranë organeve të sigurisë dhe drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje, AGK “ka ftuar Federatën e Futbollit të Kosovës të distancohet qartë nga kjo sjellje e Berishës”.

Valon Rashiti, gazetar i VOX Kosova u kërcënua sot në ambientet e Hotelit “Emerald” në Prishtinë, aty ku po mbahej ceremonia e dekorimit të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, nga Presidentja Vjosa Osmani.

Rasti ka ndodhur gjersa gazetari kishte shkuar ta mbulonte këtë ngjarje.

Errët
Ndritshëm