Errët
Ndritshëm

Tetori rozë, nis fushata kundër kancerit të gjirit

02.10.2025
557631162 1104080888562392 4915703952300393772 N 1024x1024

Institucionet në Kosovë kanë nisur zyrtarisht fushatën për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit sot, më 2 tetor 2025.

Muaji tetor njihet ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Me këtë rast, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje për vetëkontroll dhe kontrolle të rregullta nga qytetarët, me qëllim të diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Vitia theksoi se ka pasur rritje të interesimit për mamografi dhe se mbi 50% e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit kanë qenë në stade të hershme.

“Me diagnostikim të hershëm mund të mposhtet kjo sëmundje. Më vet-kontroll, kontrolle të shpeshta e mamografi. Shërbimi i mamografisë ka shënuar rekorde, ku janë kryer 1 mijë e 500 mamografi vetëm në nivelin tretësor duke e bërë të mundur diagnostikimin në faza të hershme. Aktualisht mbi gjysma e grave të diagnostikuara, mbi 53%, janë në stadin e hershëm, gjë që tregon ndërgjegjësimin e hershëm të grave”, tha ai.

Ministri deklaroi gjithashtu se që nga tetori i vitit 2024, rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore.

“Nga tetori i vitit të kaluar, mamografia dhe operacionet për rikonstruktimin e gjirit ofrohen falas – shërbim ky që ka një rëndësi të veçantë sepse ndihmon gratë të rikthejnë vetëbesimin e tyre. Nga korriku i 2024-s, me aplikimin e një metode të re për trajtimin e kancerit të gjirit, janë operuar 65 raste, dhe falë kësaj metode, arrihet të kursehet heqja e gjirit në shumicën e rasteve. Pjesa kryesore mbetet ndërgjegjësimi. Zbulimi i hershëm shpëton jetë”, u shpreh Vitia.

Errët
Ndritshëm