Luka Modric nuk po magjeps vetëm me topin në këmbë, por edhe me fanellën mbi shpinë. Legjenda kroate, që verën e kaluar zgjodhi Milanin pas lamtumirës nga Real Madridi, është bërë fenomeni i ri i marketingut kuqezi: fanellat e tij janë më të shitura se të çdo lojtari tjetër të skuadrës.
Sipas Gazzetta dello Sport, kapiteni i Kroacisë ka kaluar Rafael Leaon, që prej kohësh mbante fronin e shitjeve. Sot, Leao është vetëm i dyti, ndërsa Christian Pulisic mban vendin e tretë. Nuk dihet numri i saktë i fanellave, por renditja flet vetë: Milano është dashuruar me Modricin.
Shifrat janë rritur sidomos pas fitoreve të Milanit, me fanellën e tretë të verdhë që ka shpërthyer në treg, duke regjistruar një rritje prej 44% krahasuar me sezonin e kaluar. Jo rastësisht: ishte me këtë fanellë që Modric realizoi golin e parë kuqezi, në fitoren 1-0 ndaj Bolognës dy javë më parë.
Në fillim kishte dyshime: “Erdhi për pension”, thoshin skeptikët. Por fjalët dhe paraqitjet e para të Modricit i kanë heshtur të gjithë. Me shpirtin e tij luftarak, me personalitetin prej lideri dhe me ndikimin e menjëhershëm në fushë, ai ka fituar tifozët, trajnerin dhe më e rëndësishmja klubin. Sepse aty ku flet Modric, fluturojnë edhe fanellat.
Në moshën 40-vjeçare, Modric nuk është thjesht një përforcim luksi. Ai është bërë ambasadori i Milanit të ri, shembulli i përjetshëm se pasioni nuk njeh moshë. Pesë paraqitje, një gol, një asistim dhe një revolucion në tribuna e dyqane, kjo është statistika e tij deri tani. Dhe duket vetëm fillimi.